Melisa Trëndafili, 31 vjeçarja e cila është në rrezik për jetën pas plagëve të shumta të shkaktuara nga djegia me benzinë, jetonte pas divorcit me të ëmën dhe dy fëmijët e mitur, 3 dhe 5 vjeç.
Rreth orës 16:30 të së shtunës, ajo ishte kthyer nga puna, por para shtëpisë ku jetonte me qira, ajo është ndalur nga ish bashkëshorti, Bledar Trëndafili i cili e ka lyer me benzinë, vënë flakën dhe më pas arratisur.
Mësohet se Bledari edhe herë të tjera ka ushtruar presion ndaj bashkëshortes e cila jeton me qira në një prej rrugicave të lagjes Nr. 2 në afërsi të Bulevardit “Republika”.
Ai i ka kërkuar Melisës të heqë dorë nga procesi i divorcit por ajo ka qenë kundër ribashkimit.
Melisa është nisur me urgjencë drejt Tiranës për mjekim më të specializuar se djegiet e saj janë në gradë të rëndë.
‘Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 2, Korçë, në rrugë, shtetasi B. T., 45 vjeç, ka tentuar të djegë me lëndë djegëse benzinë bashkëshorten,( në proces divorci dhe aktualisht jetojnë të ndarë), shtetasen M. T., 31 vjeçe. Shtetasi B.T, pasi i ka hedhur lëndën djegëse në trup shtetases M.T dhe e ka ndezur është larguar me shpejtësi.
Si pasojë shtetasja M. T., ka pësuar djegie në trup dhe është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të 45 vjeçarit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Ndërkohë shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit.’- njofton policia.

