Genci Kojdheli
Dhe nëse 10 vitet e fundit na kanë mësuar diçka, është fakti se bota sa vjen e bëhet më e paparashikueshme, dhe se burimet thelbësore mbi të cilat varet mire-funksionimi i një vendi do duhet t’i nënshtrohen një ushtrimi e qasjeje strategjike për planifikim dhe përdorim po aq strategjik. Në këtë kontekst, energjia dhe siguria energjitike nuk është vetëm çështje ekonomike, por kthehet në çështje dhe imperativë të sigurisë kombëtare.
Pandemia COVID-19, lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe luhatjet e forta të tregjeve botërore kanë treguar në vijimësi se sa i brishtë është furnizimi me energji, veçanërisht për vende të vogla si ky i yni, që ndodhen në fund të zinxhirit të furnizimit global. Shumë vende europiane kanë reaguar mjaftueshëm shpejt (e të tjera pak ose aspak) duke rritur rezervat strategjike të naftës/gazit për të përballuar ndërprerjet e mundshme të furnizimit. Shqipëria, në këtë aspekt, mbetet ende shumë e ekspozuar. Ekonomia jonë relativisht e vogël, me sektorët e transportit, logjistikës, shërbimeve (përfshirë turizmin) dhe një pjesë e mirë e industrive, varen thuajse tërësisht nga importi i karburanteve. Nëse një krizë ndërkombëtare (të tilla nuk kanë munguar e me shumë gjasa nuk do mungojnë) do ndërpriste furnizimin për disa javë ose muaj, do passillte pasoja serioze si rritja e menjëhershme e çmimeve, mungesa në treg dhe presioni i madh mbi stabilitetin ekonomik të vendit.
Rrjedhimisht do ishte pikërisht tani koha më e mirë që Shqipëria të niste një projekt kombëtar ambicioz; krijimin e një rezerve strategjike të naftës e cila do të mbulonte nevojat bazë të vendit për 90 deri në 120 ditë konsum. Njësoj si zahiretë e lartpërmendura, ky nuk është një koncept i ri. Shumë vende të zhvilluara mbajnë të tilla rezerva strategjike, pikërisht për të përballuar kriza energjetike. Në momentin kur furnizimi ndërpritet, shteti aktivizon rezervën për të stabilizuar tregun dhe për të garantuar funksionimin e infrastrukturës kritike, duke përfshirë nga shërbimet emergjente, transportin, ushtrinë dhe industritë kyçe.
Në këtë aspekt, Shqipëria ka një avantazh unik që nuk përmendet mjaftueshëm; një rrjet të gjerë tunelesh dhe strukturash nëntokësore, të ndërtuara gjatë komunizmit e të menduara për kohë lufte, teksa shumica prej tyre janë sot të braktisura ose të papërdorura. Pikërisht kjo infrastrukturë mund të shndërrohet në një aset strategjik për sigurinë energjetike të vendit.
Me investime të moderuara për adaptim teknik dhe për të garantuar standardet e sigurisë, një pjesë e këtyre strukturave mund të transformohen në depozita nëntokësore për rezervën strategjike të naftës. Avantazhi për përdorimin e këtyre strukturave nga pikëpamja strategjikë është tepër i qartë! Kosto shumë më e ulët për shpenzimin kapital të ndërtimit të infrastrukturës dhe një nivel shumë i lartë I sigurie fizike, për shkak të pozicionimit të nëndheshëm por edhe dizenjimit fillestar si struktura ushtarake të cilat do duhet të përdoreshin në kohë lufte.
Natyrshëm, infrastruktura është vetëm një pjesë e ekuacionit. Pjesa tjetër është krijimi i një mekanizmi financimi të qëndrueshëm. Një zgjidhje realiste do të ishte krijimi i një fondi shtetëror të dedikuar për rezervën strategjike të karburantit, i cili mund të financohet përmes një kontributi shumë të vogël për litër karburant në treg, ose përmes një pjese të taksave ekzistuese mbi energjinë, me alokim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Në vend që të përballet me një investim të menjëhershëm shumë të madh, shteti shqiptar mund ta blejë rezervën në mënyrë graduale të shtrirë përgjatë disa viteve, veçanërisht në periudha kur çmimet e naftës janë më të ulëta në bursat ndërkombëtare. Plani mund të strukturohej i fazuar, fillimisht me krijimin e një rezerve për 30 ditë konsum, më pas zgjerimin në 60 ditë, dhe në fund arritjen e objektivit strategjik prej 90 deri në 120 ditësh, me një kosto të përafërt që do të shkonte nga 450 deri ne 500 milion USD për gjithë projektin. Në këtë kuadër, është për t’u nënvizuar që deri më sot ka pasur disa tentativa ligjore dhe administrative (prej 2019-ës e deri në tetor 2025, kur ka dalë drafti I fundit për konsultim publik) por kanë qenë kryesisht të fokusuara tek mbajtja e rezervës në mënyrë indirekte në mekanizma stoku ndërkombëtar apo duke angazhuar sektorin privat të furnizimit me karburant.
Në një botë që gjithmonë e më shpesh përballet me tensione gjeopolitike dhe ku zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten brenda natës, vendet që janë të përgatitura janë ato që planifikojnë paraprakisht e strategjikisht. Shqipëria, ironikisht, mund të kthejë një pjesë të trashëgimisë së saj më të diskutueshme, infrastrukturën e bunkerizur të së shkuarës, në një instrument modern të sigurisë kombëtare. Tunelet që dikur u ndërtuan nga frika e një lufte mund të përdoren sot për të mbrojtur vendin nga një tjetër rrezik, pasiguria energjetike për shkak të luftrave. Në këtë këndvështrim, rezervë strategjike e naftës nuk do të ishte një luks, por një element kyç i sigurisë kombëtare për stabilitetin ekonomik të vendit. Ose e thënë fshatçe, një zahire energjitike për botën e re!


