Kanë përfunduar në mënyrë tragjike kërkimet për ish-ushtarakun e karrierës dhe ish-drejtuesin e Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, i cili ishte shpallur i humbur që prej pasdites së së enjtes.
Lajmi është konfirmuar nga bashkëshortja e tij, e cila bëri të ditur se 55-vjeçari është gjetur pa shenja jete, duke i dhënë fund ditëve të ankthit dhe kërkimeve nga familjarët dhe autoritetet.
Sipas familjes, Kolmarku ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet. Më herët ishte bërë e ditur se ai vuante nga një formë e rëndë e demencës, e cila i shkaktonte probleme të theksuara me kujtesën.
Familjarët kishin kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit dhe të qytetarëve për lokalizimin e tij, ndërsa apeli për gjetjen e 55-vjeçarit ishte shpërndarë gjerësisht edhe në rrjetet sociale.
Flamur Kolmarku ka shërbyer për më shumë se 20 vite në Gardën e Republikës, ku ka mbajtur detyra drejtuese dhe është konsideruar një figurë e njohur në strukturat e sigurisë në vend.
Pas konfirmimit të lajmit të hidhur, familjarë, miq dhe ish-kolegë kanë shprehur ngushëllimet e tyre, duke e kujtuar Kolmarkun si një njeri të përkushtuar ndaj detyrës, kolegëve dhe familjes së tij.


