Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur kritikëve dhe komentuesve në rrjetet sociale përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë thirrje për më shumë qytetari në debatet publike dhe ka sjellë si shembull modelin francez të zhvillimit të zonave të mbrojtura.
Rama kritikoi ashpër ata që, sipas tij, përdorin gjuhë fyese dhe sulmuese në rrjetet sociale, duke theksuar se protestat e ambientalistëve, mbrojtësve të natyrës dhe qytetarëve të shqetësuar janë të drejta që duhen respektuar.
“Merruni me mua sa të doni, por mos e ndotni debatin publik me sharje dhe gjuhë urrejtjeje”, shkruan ai, duke shtuar se sulmet personale nuk e pengojnë, por përkundrazi i japin më shumë vullnet për të vazhduar punën.
Në vijim, kreu i qeverisë solli në vëmendje shembullin e rajonit të Camargue në Francë, një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës, e njohur për biodiversitetin e saj, flamingot rozë, lagunat dhe peizazhet e mbrojtura.
Sipas Ramës, Camargue dëshmon se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik mund të ecin paralelisht. Ai theksoi se rajoni francez është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik dhe ekonomik, pa humbur vlerat e tij natyrore.
“Pyetja nuk është nëse natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin për ta kthyer natyrën në një aset të ekonomisë”, shkruan Rama.
Kryeministri argumenton se kur peizazhi dhe mjedisi bëhen pjesë e modelit ekonomik, komunitetet kanë më shumë interes për t’i mbrojtur dhe ruajtur ato.
“Nuk duhet të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit. Sfida është të gjejmë mënyrën që të dyja të fitojnë bashkë”, përfundon mesazhi i tij.


