Violand Braçellari, i akuzuar për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, dhe plagosjen e kolegut të tij, Edison Adri, është lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Vendimi është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë dhe i është komunikuar të dyshuarit në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku ai ndodhet i shtruar pas plagëve të marra gjatë operacionit policor.
Sipas vendimit të gjyqtarit Gentajan Sallahu, është vlerësuar i ligjshëm arresti në flagrancë i Braçellarit, i dyshuar për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa ekzekutimi i vendimit i është ngarkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Sipas njoftimit zyrtar, i akuzuari ka të drejtë të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.


