Pas vetëdorëzimit në polici të Shpëtim Osmës, i cili paraditen e sotme qëlloi me armë zjarri në drejtim të fqinjëve të tij, Sami dhe Nadire Disha, detaje të reja kanë dalë në pah.
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në fshatin Gosë të Rrogozhinës rreth orës 10:15 dyshohet se si motiv të konfliktit mes fqinjve të jetë bërë hyrja e bagëtive të çiftit Disha në tokën e autorit, Shpëtim Osma.
“Në fshatin Gos, Rrogozhinë, rreth orës 10:15, dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta shtetasi Shpëtim Osma, ka plagosur me armë zjarri, pistoletë jashtë rrezikut për jetën shtetasit Sami Disha, dhe Nadire Disha (autori komshi me çiftin që plagosi). Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë rrethuar zonën dhe vendin ku dyshohet se është fshehur autori.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin ligjor të ngjarjes“, njofton Policia.


