Kjo e sotmja është një ditë zie në Terni të Italisë.
Burimet bëjnë me dije se sot është dita e lamtumirës së fundit ndaj Ilaria Sulës, 22-vjeçarja e cila u vra në mënyrë makabre nga ishi i saj filipinas, Mark Antony Samson.
Një vrasje që shokoi opinionin publik.
Mësohet se procesioni i lamtumirës fillon nga ora 14:00 që nga shtëpia e shqiptares ndërsa më pas pritet të bëhet lutja e fundit ndaj saj.
Pjesëmarrës do të jenë familjarët e 22-vjeçares, miqtë dhe shoqatat të cilat u ngritën kundër dhunës ndaj grave.
Ditët e fundit para shtëpisë së viktimës janë vendosur lule, kartolina dhe pankarta në kujtim të Ilarias dhe kundër dhunës ndaj grave.
Babai i Ilarias ka gjetur momentin që të falenderoi të gjithë qytetin, kryetarin e bashkisë dhe policinë dhe të gjithë njerëzit që u solidarizuan për ngjarjen e dhimbshme.
Që në orët e para të mëngjesit, rreth njëqind persona janë mbledhur poshtë shtëpisë ku Ilaria Sula jetonte me prindërit e saj.
Dhjetëra kurora, buqeta me lule dhe shumë kartolina kujtojnë studenten e shkencave statistikore, e cila u vra nga duart e ishit.


