Vrasja e shqiptares Ilaria Sula nga ish-partneri i saj, Mark Samson, nga hetimet e bëra mesa duket po merr një tjetër rrjedhë.
Mediat italiane kanë zbuluar se mamaja e Mark Samson kishte antipati ndaj shqiptares edhe pse kjo e fundit kishte kaluar shumë kohë në shtëpinë e tyre të vogël.
“Nuk doja që Mark ta sillte gjithmonë Ilarian në shtëpi. Kisha frikë se do ta shpërqendronte shumë – djali im duhet të jetë i përqendruar te studimet”, i ka rrëfyer ajo hetuesve.
Vetëm një lule për vajzën e vrarë
Me kalimin e ditëve, pozicioni i nënës së Mark po bëhet gjithnjë e më qendror në hetime. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Rik Samson, rrezikojnë të hetohen për bashkëpunim në vrasje me paramendim dhe për fshehje kufome.
Tensioni po rritet edhe në lagje, në komunitetin e madh filipinas.
Xhaxhai Emilio iku me skuter sapo pa gazetarët, madje edhe ata nga Filipinet që kanë nisur të interesohen për një çështje që shumë shpejt kaloi përtej kufijve të Rripit Rrethues të Romës (Grande Raccordo Anulare).Por, aty ku u vra Ilaria, ka vetëm një lule – një karafil rozë.
“Po flija. Nuk kuptova asgjë. Ditën tjetër dola nga shtëpia”, mësohet të ketë thënë gruaja, një shtëpiake me disa probleme shëndetësore, gjatë marrjes në pyetje nga policia kriminale, nën drejtimin e hetuesit Roberto Pititto. Deri më tani, ky ka qenë e vetmja dhe e para seancë pyetjesh me të, por nuk përjashtohet mundësia që të përsëritet.
Ka skepticizëm rreth versioneve që kanë dhënë gruaja dhe bashkëshorti i saj, i cili punon si ndihmës shtëpiak në një familje në veri të Romës.
“Ne ishim në shtëpi, e dinim që vajza ishte me Markun”
“Natën e 25 marsit ishim të dy në shtëpi. E dinim që Ilaria kishte ardhur për të vizituar Markun”, pohuan edhe ata orët e fundit.
Babai i autorit ka thënë më parë se kishte dalë dhe nuk ishte kthyer deri të nesërmen. Dy javë pas vrasjes, prindërit e ish-të dashurit të viktimës nuk kanë mundur ende të shpjegojnë qartë se çfarë kanë bërë gjatë atyre 24 orëve dhe cili ka qenë roli i tyre në veprimet e të birit: të vrasë një vajzë të mbyllur me çelës në dhomën e tij, më pas ta fusë trupin në një valixhe, pasi e ka mbështjellë me një qese plastike, ta ngarkojë në makinën e familjes – në rrugë, jo në ndonjë garazh – dhe ta çojë për ta hedhur në një greminë 40 kilometra larg Romës.
“Asnjë britmë, asnjë zhurmë”
“Ne nuk dëgjuam asnjë zhurmë, asnjë britmë nga dhoma e Markut”, mësohet se kanë thënë më tej prindërit para policisë.
Ky mund të jetë version I vetëm më i besueshëm, pasi edhe të gjithë banorët e pallatit me numër 8 dhe ata të ndërtesës përballë – shumë prej të cilëve janë filipinas, përfshirë xhaxhain Emilio – kanë pohuar se nuk dëgjuan asnjë britmë nga apartamenti i familjes Samson, që ndodhet në katin përdhes.
Për çdo gjë tjetër, dyshimet ndaj Nors dhe Rik Samsonit konsiderohen mëse të justifikuara, edhe për faktin që duket shumë e vështirë të besohet se Mark e ka kryer të gjithë këtë krim i vetëm. Tani edhe marrëdhënia mes nënës dhe ish-të dashurës së të birit është nën lupën e hetuesve.
Xhelozia e nënës së Markut ndaj Ilarias
Më shumë se konflikte të zakonshme, dyshohet për një armiqësi të heshtur ndaj vajzës, ndoshta e lidhur me bindjet fetare të nënës.
Megjithatë mund të jetë normale që kjo të shihet si një sjellje e zakonshme prindërore – një përzierje mbrojtjeje dhe xhelozie për të birin – por ndoshta ishte diçka më shumë, që ka dalë në pah edhe gjatë marrjes në pyetje të saj.
Hetuesit tani përpiqen të kuptojnë nëse kjo ndjenjë ka ndikuar drejtpërdrejt në atë që ndodhi në dhomën e 23-vjeçarit, ku, pavarësisht pastrimit të kujdesshëm, u gjet gjaku i Ilarias.
Ajo u godit në qafë, në befasi apo ndoshta në gjumë, nga dikush që ndodhej pas saj, me një thikë që ende nuk është gjetur.
Në dhomën ngjitur, në ato pak metra katrorë, Nors dhe burri i saj dëshmuan se po flinin të qetë./ Corriere Della Sera