UNICEF ka bërë të ditur se dy shoferë cisternash të punësuar nga organizata janë vrarë nga zjarri izraelit teksa po shpërndanin ujë të pijshëm për familjet në Rripin e Gazës.
Sipas deklaratës, ngjarja ndodhi të premten në mëngjes gjatë një operacioni të planifikuar shpërndarjeje në objektin Mansoura, në veri të Gazës, nga ku furnizohet edhe Qyteti i Gazës. Në incident janë plagosur edhe dy persona të tjerë.
Pas ngjarjes, UNICEF ka pezulluar përkohësisht aktivitetet në zonë dhe ka kërkuar nga autoritetet izraelite që të kryejnë një hetim të plotë, duke theksuar se punonjësit humanitarë, civilët dhe infrastruktura e ujit duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
Ngjarja ndodh në një kontekst të brishtë të armëpushimit në Gaza, që sipas raportimeve ka hyrë në fuqi më 10 tetor 2025, por që vazhdon të shoqërohet me akuza të ndërsjella për shkelje mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas të dhënave të publikuara, qindra palestinezë dhe disa ushtarë izraelitë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.


