Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) protestuan sot për shkak të mungesës së pagave, duke e quajtur situatën të papranueshme dhe poshtëruese për punën e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Gëzim Bimbashi, deklaroi se punëtorët po kërkojnë vetëm një të drejtë themelore – pagën mujore.
“Kjo është fyerje për punën dhe dinjitetin e secilit punëtor të RTK-së. Punëtorët janë pa paga, ndërsa deputetët marrin pagat rregullisht,” tha ai, duke akuzuar Kuvendin, Qeverinë dhe menaxhmentin e RTK-së për neglizhencë.
Bimbashi paralajmëroi grevë të përgjithshme nëse situata nuk zgjidhet së shpejti, duke shtuar se protestat mund të përshkallëzohen:
“Durimi ynë ka kufi. Nëse vazhdohet me heshtje, do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore për grevë të përgjithshme.”
Ai akuzoi skenën politike se po e lë RTK-në të degradojë qëllimisht:
“Çfarë po dëshironi të bëni me RTK-në? A po prisni të shuhet zëri publik i Kosovës? Kjo nuk do të ndodhë me asnjë çmim.”
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) mbështeti publikisht protestuesit. Nënkryetarja Naile Dema kërkoi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të sigurojë menjëherë fondet për ekzekutimin e pagave.
Kurse Fisnik Dërguti nga SPERTK kritikoi menaxhmentin e RTK-së dhe tha se vonesat në paga po përdoren për “inate politike” mes partive.
“Kërkesat tona janë legjitime. Është e qartë se kur mbetëm pa paga në tremujorin e parë, do të përsëritej e njëjta situatë,” u shpreh Dërguti.


