Auron Rrokaj është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave, duke marrë zyrtarisht drejtimin e institucionit përgjegjës për administrimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë dokumentare të Shqipërisë. Emërimi i tij i jep fund një periudhe të gjatë gjatë së cilës institucioni është drejtuar nga drejtues të komanduar.
Me një eksperiencë prej 12 vitesh në sistemin arkivor shqiptar, Rrokaj sjell në këtë detyrë një profil të konsoliduar profesional. Gjatë karrierës së tij, ai ka ushtruar funksione drejtuese dhe inspektuese pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, duke kontribuar në hartimin dhe zbatimin e politikave për administrimin, ruajtjen dhe zhvillimin e fondit dokumentar arkivor.
Rrokaj është diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe ka kryer specializime pranë Universitetit për të Huajt në Peruxha, Itali. Përvoja e tij profesionale shtrihet në disa fusha, përfshirë administratën publike, diplomacinë, arsimin dhe shoqërinë civile.
Përmes një njoftimi zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i uroi suksese në detyrën e re, duke theksuar rëndësinë e rolit të institucionit në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e kujtesës dokumentare të vendit. Emërimi i Rrokajt vlerësohet si një hap i rëndësishëm për vazhdimësinë dhe forcimin e misionit të Arkivave në shërbim të trashëgimisë historike dhe institucionale të Shqipërisë.


