Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me zhvillimin e turizmit në vend, duke e cilësuar atë si motorin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe duke mbrojtur investimin prej 4 miliardë eurosh që parashikohet të realizohet në Zvërnec.
Sipas Koçiut, Shqipëria ndodhet në një moment kyç për të konkurruar denjësisht me vendet e rajonit dhe të Mesdheut në industrinë e turizmit, duke marrë si shembull transformimin ekonomik të vendeve si Turqia, Mali i Zi, Kroacia dhe Greqia.
“Shpesh vizitojmë vendet fqinje dhe habitemi me cilësinë e shërbimit, fuqinë e industrisë së turizmit dhe transformimin ekonomik të tyre përmes turizmit. Turqia është njëri prej shembujve më domethënës. Ky model është sot i pranishëm në çdo vend të Mesdheut”, shkruan ajo.
Koçiu shprehet se ka zëra që kërkojnë që Shqipëria të tërhiqet nga kjo garë pikërisht në momentin kur ka mundësinë të konkurrojë në mënyrë të barabartë me vendet e tjera të rajonit.
Ajo e cilëson paradoksale qasjen që kërkon standarde më të larta në turizëm, ndërsa njëkohësisht sheh investimet e huaja me dyshim. Sipas saj, zhvillimi i qëndrueshëm nuk nënkupton shkatërrim të natyrës apo të ekosistemit, por harmonizimin e tyre me infrastrukturën moderne dhe krijimin e mirëqenies afatgjatë.
Në këtë kuadër, zëvendëskryeministrja thekson se investimi prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec nuk duhet parë si një projekt i izoluar.
“Investimi prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec nuk është një projekt i mbyllur apo i izoluar, por një mundësi që do të krijojë vende pune, do të rrisë ekonominë, do të përmirësojë standardet e turizmit dhe do të stimulojë investime të tjera zinxhir në të gjithë vendin”, shprehet ajo.
Sipas Koçiut, Shqipëria ka nevojë për këtë efekt shumëfishues për të dalë nga modeli i turizmit të paorganizuar dhe pa strategji, duke ndërtuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme.
Në përfundim të reagimit të saj, ajo thekson se kjo nuk është sfida e një qeverie apo e një grupi investitorësh, por një garë kombëtare për ta shndërruar Shqipërinë në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Mesdheut.
“Kjo është gara e Shqipërisë drejt kurorëzimit si kampione e padiskutueshme e turizmit në Mesdhe. Mbi të gjitha, është një garë për të ardhmen e fëmijëve dhe brezave që do të vijnë”, përfundon Koçiu.


