Një konflikt i ndodhur pasditen e kësaj të premteje në fshatin Shkallnur, në Durrës, ka përfunduar me plagosjen e një 36-vjeçari, ndërsa në ngjarje dyshohet se është përfshirë edhe një punonjës policie jashtë shërbimit.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 15:00, shtetasi E. Gj., 36 vjeç, është goditur me sende të forta, konkretisht me qytë pistolete, nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç. Pas konfliktit, të dy autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet.
Policia bën me dije se në konflikt dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe inspektori L. Xh., punonjës policie jashtë shërbimit. Ai është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar një gëzhojë pistolete në cilësinë e provës materiale. Sipas dyshimeve paraprake, gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri.
Ndërkohë, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.


