Në Tiranë u zhvillua sot Parada e Krenarisë e komunitetit LGBT+, nën moton “Krah për krah”, ku qindra qytetarë, aktivistë dhe mbështetës u bashkuan në një marshim që kërkonte barazi, dinjitet dhe njohje të të drejtave ligjore për personat e komunitetit.
Pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj shumëngjyrësh, ndërsa theksuan kërkesat për njohjen e martesave mes personave të së njëjtës gjini, të drejtën për prindërim dhe sigurimin e një kornize ligjore që njeh dhe mbron identitetin gjinor.
Parada u mbështet edhe nga trupa diplomatike dhe institucione shtetërore. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, morën pjesë në marshim.
Në fjalën e tij, Gonzato nënvizoi se “komuniteti LGBT+ nuk kërkon mëshirë, por respekt”, duke theksuar se respektimi i të drejtave të këtij komuniteti është pjesë përbërëse e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ai shtoi se BE do të vijojë të mbështesë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të garantuar të drejtat dhe liritë e barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim.













