Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së fundmi ka reaguar në lidhje me pretendimet e presidentit Vuçiç se marrëveshja e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë-Kroaci është kërcënim ndaj Serbisë.
Presidentja u shpreh se Beogradi po bën propagandë dhe po gënjen.
Kjo pasi sipas saj marrëveshja e mbrojtjes nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç shkëmbimit të eksperiencave dhe përmirësimit të aftësive të mbrojtjes të secilit vend.
“Serbia si shtet që nuk beson në ato vlera, por që i sulmon vazhdimisht, del me propagandë se kinse qenka shkelur një marrëveshje e vitit 1996. Por, kushdo që e lexon atë marrëveshje, e vëren një gjë, që Serbia po e bën të njëjtën që e ka bërë gjithmonë, pra po gënjen, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe s’ka asnjë rrezik për ta. Ekziston veç një burim destabiliteti në rajon, e ajo është Serbia”, tha Osmani.
Osman u pyet edhe nëse do të kandidojë për një tjetër mandat presidencial.
“Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj”, tha Presidentja.


