TIRANË– Mbrëmjen e së mërkurës në InsideStory është trajtuar tema mbi vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu si pasojë e një ndërhyrje kirurgjikale në 14 dhëmbë.
Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Tiranës nuk e ka pasur aspak të vështirë për të evidentua dhe dy shkelje të tjera të rënda që lidhen me klinikën ku u operua Briani.
Shkelja e parë dhe më flagrantja është e konfirmuar dhe nga vetë Ministria e Shëndetësisë. Pas kësaj ngjarje të rëndë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ngriti një grup për verifikimin e përmbushjes së standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor në klinikën Spledent.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit ligjor për të ofruar shërbim shëndetësor jopublik ka rezultuar se subjektit nuk është pajisur me licencë nga shërbimi Qendra Kombëtare e Biznesit për ushtrimin e aktivitetit.
“Ata nuk kishin as licence, se ne i morëm vesh mbrapa këto gjëra. E bënë mbrapa licencën për të nisur punë. Kishin mashtruar njerëzit me licencë”, u shpreh Guri Spahiu, gjyshi Braianit.
Derivati i kësaj shkelje shumë të rëndë, është dhe pjesa tjetër që klinika nuk kishte një sallë reanimacioni teksa merr përsipër ndërhyrje të tilla kirurgjikale. Çdo klinikë dentare duhet të ketë dhe sallën e reanimacionit që ta kenë për të pritur deri në momentin që personit do ti dalë narkoza, në mënyrë që ta ketë nën kontroll në rast komplikacioni.
“Klinika nuk kishte as sallë reanimacioni e detyrueshme për të pritur çdo person që ti dalë narkoza. I mësuam mbrapa të gjitha, ta dinim nuk do e çonim djalin. Nuk ka mundësi që Xhaxho të vazhdojë sërish punën pa u shqetësuar, pas kësaj ngjarjeje. Ai donte vetëm leke, i shihte njerëzit si lekë.”-tha gjyshi i 3-vjeçarit të ndjerë.
Ndërkohë një tjetër akuzë e familjes lidhet dhe me kamerat e sigurisë së spitalit, pasi pretendojnë se pamjet janë fshirë në ditët që është operuar Briani. Klinika ka pamje filmike ditët para dhe pas ngjarjes, por në ditën fatale për të miturin, pamjet nuk gjenden për shkak të një problemi teknik.
“Kamerat janë fshirë dhe nuk ka pamje filmike. I kanë fshirë, Xhaxho me vajzën që të mos i japin. Nuk ka mundësi që vetëm ajo pamje është fshirë. Pikërisht vetëm dita kur ishte djali ynë ka pasur problem, ndërsa në ditët e tjera normalisht.”- shtoi më tej Guri Spahiu.
Familja e Brianit ka kërkuar ndryshimin e prokurorit të çështjes. Shkresat i janë dërguar dhe Ministrisë së Drejtësisë por kjo kërkesë nuk u përmbush./Radar.al


