TIRANË– Ngjarja e rëndë e 3-vjeçarit Brian Spahiu që ndërroi jetë ne reanimacionin e Pediatrisë më datë 1 tetor 2023, tronditi opinionin publik në vend si dhe pati për disa ditë me rradhë emisione kushtuar kësaj humbje të dhimbshme.
Kujtojmë se i mituri humbi jetën tre ditë pas një mjekimi që kreu në 14 dhëmbë në klinikë dentare të mjekut Roland Xhaxho.
Mbrëmjen e së mërkurës ka folur në Inside Story, në Top Channel, gjyshi i Brianit sa i takon gjithë ngjarjes dhe vijimit të hetimeve.
Shkaku i vdekjes së të voglit përcaktohet qartë dhe në të njëjtën ekspertizë mjekoligjore të firmosur dhe dorëzuar më 20 tetor 2023 nga 2 mjekët.
Në konkluzionin sa i takon shkakut të vdekjes deklarohet qartë se cila është arsyeja që i ka marrë jetën 3-vjeçarit.
Shkaku i vdekjes së shtetasit Brian Spahou ka qenë dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thellë me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme.
Megjithatë kjo ekspertizë është konsideruar e pamjaftueshme nga Prokuroria që ende e ka dosjen të hapur. Prokurorja e çështjes ka vendosur që të mos marrë për bazë ekspertizën nga doktorët e IML, por të çojë ekspertizën në Itali. Familjarët e vogëlushit të ndjerë dhe përfaqësuesi ligjor i tyre thonë se nuk kanë marrë asnjë sqarim për ndërmarrjen e këtij veprimi.
“I vetmi institucion që ligji në Republikën e Shqipërisë përcakton me të drejtën për të përcaktuar nëse ka patur shkelje nga pikëpamjet e mjekëve, në këtë rast vetëm Inistuti i Mjekësisë ligjore. Vetëm në rastet kur ky institut shkruan me shkrim se nuk kanë pajisjet për të ekzaminuar, vetëm në këta raste mund të procedohet me kryerjen e analizave dhe inspektimeve jashtë Shqipërisë në institucione të certifikuar. Për hir të procedurës, eksperti duhet të vijë në Shqipëri dhe të paraqesë ekspertizën e tij në mënyrë që ky akt të marrë vlerë, përndryshe nuk mund të merret parasysh.”-deklaroi avokati, Jordan Daci.
Ndërkohë gjyshi i Brianit, Guri Spahiu ak thënë se Prokurorja Alma Felaj është e shitur dhe se ka marrë para për këtë çështje.
“Prokurorja Alma Felaj është e shitur. Ajo ka çuar ekspertizën jashtë, por është e shitur. Ajo ka marrë para nga pala tjetër, sepse përndryshe do të vepronte për të zgjidhur këtë rast. Vendosi kurorën te varri i djalit dhe menduam se e kishte seriozisht, por gabuam shumë”, u shpreh Guri Spahiu, gjyshi Brianit./Radar.al


