SPAK së fundmi dërgoi për gjykim Emiljano Shullazin, në lidhje me rastin e ndodhur më 23 prill 2023, dita ku u dhunua fizikisht bashkëshorti i gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani.
SPAK bën me dije se nga hetimet rezulton se Shullazi ka qenë personi që drejtoi sulmin e rëndë.
“I pandehuri Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me persona të tjerë, me veprimet e tij të kundraligjshme dhe të drejtëpërdrejta, të kryera me dashje gjatë katërmujorit të parë të vitit 2019, si dhe veprimtari e konkretizuar më datë 23.04.2019, 2021, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar prej tij ka goditur një pjesëtar të familjes së një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila gjykonte një cështje penale ndër të tjera edhe në ngarkim të këtij të pandehuri. Ky i fundit, për këtë çështje gjyqësore, kishte kërkuar përjashtimin e kësaj gjyqtareje”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ngjarja e rëndë u zbulua nga bisedat në SKY ECC. Për rrjedhojë ka rezultuar se organizator i dhunimit dhe më pas vendosjes së pistoletës në gojë të burrit të gjyqtares, është shtetasi Emiljano Shullazi, një emër i njohur goxha në botën e krimit.
Policia në lidhje me ngjarjen ndaj burrit të juristes arrestoi një person por ai fitoi lirinë.
Pas pak kohësh çështja për akuzën e “Kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe rrahjes së bashkëshortit të Dollanit u pezullua nga prokuroria e Tiranës, për mungesë autori.
Çështja u pezullua ndonëse raportimet dhe dyshimet e para krijonin bindjen se gjithçka ishte bërë nga brenda burgut me qëllim që Saida Dollani të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit dhe 4 personave të tjerë që po zhvillohej në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
Referuar dosjese penale nga SPAK me 50 persona të arrestuar, njerëzit kryesorë që kanë bërë të mundur rrahjen brutale të burrit të Saida Dollani rezultojnë se janë Emiljano Shullazi, ish-deputeti i PS Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj.
Burri i gjyqtares denoncoi se u kërcënua me pistoletë në prill të vitit të kaluar. Ndërsa kujtojmë se gruaja e tij ishte pjesë e trupës gjyqësore të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.
“…në një moment dola për të pirë një cigare nga një lokal ku isha me një mikun tim. Në atë moment kaloi gruaja ime me një shoqe dhe vajzën e saj, ndërsa pak minuta më pas erdhi një djalë i ri rreth 20-22 vjeç. Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë, më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë dhe mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’. Kërcënimi ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në gjykatën e Apelit për Krime të rënda…”, është shprehur mes të tjerash ai.
Për shkak të kësaj ngjarjeje Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit, ndërsa për rastin e kërcënimit nisën hetimet në Prokurorinë e Tiranës.
10 muaj më pas prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi duke e rikthyer për vijimin e hetimeve.
Sërish çështja nuk mundi të zbardhej duke shkuar drejt pezullimit të saj. Procesi i Shullazit ngeci në Apel, ku ky i fundit dhe grupi i tij apeluan vendimin e shkallës së parë.
Dënimi i tyre në Apel u dha pa prezencën e avokatëve mbrojtës, ndërsa çështja tashmë është në Gjykatën e Lartë.
Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe në Apel me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobë vënie dhe kanosje për shkak të detyrës.
Pjesë e këtij grupi ishin, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja.


