Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në fshatin Rrilë të Lezhës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në një banesë.
Sipas të dhënave paraprake, lënda plasëse është vendosur pranë derës së një banese dykatëshe në pronësi të shtetasit Mirash Mirashi. Në momentin e shpërthimit, brenda banesës ndodheshin dy bashkëshortët, të cilët nuk kanë pësuar lëndime.
Shpërthimi ka shkaktuar dëmtime në strukturën e banesës dhe ka alarmuar banorët e zonës, ndërsa menjëherë pas ngjarjes në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë.
Efektivët kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për vendosjen e lëndës plasëse.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar llojin e eksplozivit të përdorur, motivet e mundshme të këtij akti dhe lidhjet që mund të çojnë në autorët e ngjarjes.
Hetimet vijojnë, ndërsa policia pritet të japë më shumë detaje pas përfundimit të ekspertizave në vendngjarje.


