Një aksident rrugor është regjistruar ditën e sotme në aksin Sarandë–Delvinë, pranë fshatit Karahaxh, ku një i mitur ka mbetur i lënduar.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip “Golf”, i drejtuar nga shtetasi D. Cauli, 16 vjeç, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Menjëherë pas njoftimit nga kalimtarët e rastit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe shërbimet e emergjencës. I mituri është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku mjekët kanë konstatuar thyerje në këmbë dhe disa dëmtime të lehta. Ai pritet të dërgohet drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Sipas deklarimeve paraprake, drejtuesi i mjetit ka dyshuar se automjeti mund të jetë përplasur lehtë me një tjetër mjet para se të humbiste kontrollin, megjithatë ai nuk ka dhënë një version të qartë të ngjarjes.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet e daljes së mjetit nga rruga.


