TIRANË– “Unë jam 31 vjeç dhe punoj në një departament shumë të mirë në sektorin bankar. Të ardhurat i kam mbi 100.000 lekë. Apartamenti në të cilin jetoj (2+1, 87 m²) është blerë nga kursimet e prindërve dhe kursimet e mia në vitin 2020.
Vlera e këtij apartamenti është rritur sot deri me 125% çmim shitje, por pa një rritje të arsyeshme, qoftë në kërkesë reale për banesa, si p.sh. në përmirësim të zonës përreth banesës, apo një rritjeje eksponenciale brenda këtyre 5 viteve në kosto ndërtimi (e njoh sepse kam qenë ‘head of audit’ në shoqëri ndërtimi).
Për ta përmbyllur arsyetimin, mendoj se kjo rritje në vlerën e pronës sime është vetëm copëz në mozaikun e flluskës së pasurive të paluajtshme në vendin tonë. Sa u takon gjithë kostove të tjera, po bëj një analizë shumë shkurt. Faktori i parë ndikues është se barra fiskale për bizneset dhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi ka ardhur gjithmonë në rritje dhe kjo peshë bie mbi konsumatorin final. Faktori i dytë është humbja e produktivitetit të ekonomisë.
Bizneset prodhuese në Shqipëri janë incentivuar jo si të prodhojnë më mirë dhe më shumë dhe me kosto më të ulët, por të ndërpresin prodhimin dhe të importojnë, gjë që të ekspozon edhe ndaj disa rreziqeve të tjera makro. Së treti, ka pasur një presion të jashtëzakonshëm për të rritur pagat, ndërkohë që nuk ka një rritje të produktivitetit real të punonjësve që të justifikojë këtë rritje. Normalisht, kjo ‘kosto’ shtesë, është reflektuar në ato pak biznese prodhuese.
Çmimet e të mirave që prodhojnë dhe në të gjitha bizneset që operojnë në sektorin e shërbimit janë rritur. Së katërti, ka një orientim ne ‘senc anti-orar’ që duan që të rinjtë shqiptarë të pranojnë të punojnë ‘odd jobs’ si kamerier, etj. Puna nuk është turp, është nder.
Megjithatë, sot një i ri shqiptar është më i arsimuar, më i kualifikuar dhe më i përkushtuar se sa ka qenë rinia shqiptare 20 vjet më parë. Në shumicën e rasteve, rinia shqiptare është shumë herë më e aftë dhe më produktive edhe se homologët tanë në Europë.
Problemi është se këto janë punë me vlerë të ulët të shtuar. Në terma afatgjatë, të ndryshojnë forcën punëtore të vendit në një forcë krejtësisht të pakualifikuar dhe joproduktive dhe lehtësisht të zëvendësueshme me zgjidhje momentale në rastin më të parë që do të shfaqen si pengesë.
Thënë shkurt, një kamerier që shërben në 5 tavolina, me shtrëngim do shërbejë 10, por kurrsesi nuk mund të shërbejë dot 50. Kjo do të thotë se ai as nuk rritet profesionalisht, as nuk bëhet dot më produktiv, dhe detyrimisht, çdo rritje që nuk do t’i atribuohet vjetërsisë se tij në pune do të jetë një flluskë e pajustifikuar që në fund do t’i rëndojë sërish atij.
Tani sa u takon masave të marra, unë të nderuar kam kërkuar gjithmonë të bëj dy punë, çfarëdolloj pune të ishte puna e dytë. Por jetesa në Tiranë ka një lëvizshmëri urbane katastrofike.
Të shkosh po them nga QTU në ‘Ali Demi’ për të bërë punën e dytë, duhet të jesh Superman. Në këto kushte, unë dhe e dashura ime, që jemi të dy të punës dhe të sakrificës, por kurrsesi budallenj, vendosëm të bëjmë pak durim dhe të largohemi në një vend ku gjithë sa më sipër nuk zbatohen dhe ku ‘bollëku’ fitohet me djersën e ballit. Ja, kështu e përballuam rritjen e kostove të jetesës.”/Monitor
Ish-kryeministri anglez bëhet sërish baba, fëmija i katërt me bashkëshorten Carrie


