Një investigim i publikuar nga media ekuadoriane Infobae, mbështetur në raportin e organizatës kërkimore amerikane C4ADS, ka zbuluar një skemë të sofistikuar trafiku droge që lidhet me kompanitë shqiptare të importit të bananeve nga Amerika Latine.
Sipas hetimit, të paktën gjashtë kompani shqiptare që importojnë banane nga Ekuadori kanë rezultuar të përfshira në dërgesa të kontaminuara me kokainë që nga viti 2014. Skema përfshin kompani që, ndonëse sekuestruar ose përballur me arrestime, kanë vazhduar operimin përmes ndërrimit të përkohshëm të administratorëve apo aksionarëve, për t’u rikthyer më pas në mënyrë të heshtur në aktivitet.
Modelet e përdorura: Emrat dhe kompanitë
“Masabi Fruit” u përfshi në një sekuestrim droge në prill 2021. Edhe pse dy persona u arrestuan, kompania vazhdoi aktivitetin me një emër të ri në krye.
“Zico Sha” ose “Bana King LLC” në SHBA, e lidhur me Trifon Muratajn, vijoi importet edhe pas sekuestrimeve. Murataj u hoq dhe u rikthye në regjistrat e kompanisë, duke zbuluar një model “riciklimi ligjor” për të shmangur hetimet.
Murataj, që dyshohet se ka vepruar nga New Jersey, zotëron pasuri dhe kompani të tjera në SHBA si Vision 22 LLC, duke krijuar një rrjet të përzier ligjor dhe kriminal që shfrytëzon logjistikën ndërkombëtare të tregtisë për trafik droge.
Nga burgjet në kontrollin e rrjetit: Rasti i Dritan Rexhepit
Një nga figurat më të përfolura është Dritan Rexhepi, i arratisur nga burgje në Shqipëri, Holandë dhe Belgjikë, i cili kontrolloi operacione të mëdha trafiku nga burgu në Ekuador në bashkëpunim me grupet kriminale lokale si “Los Choneros”.
Edhe pse u arrestua në 2014, Rexhepi arriti të falsifikonte dokumente dhe të siguronte arrest shtëpie, nga ku u arratis sërish. Pas një hetimi të Infobae, që ekspozoi manipulimet në sistemin ekuadorian, ai u shpall zyrtarisht në kërkim nga Interpoli dhe u arrestua në Turqi në vitin 2023.

Katër ton kokainë në muaj: Rrjeti i Dritan Gjikës
Një tjetër emër që përmendet në raport është Dritan Gjika, i cili, sipas GI-TOC, drejtonte një strukturë që kontrabandonte deri në katër tonë kokainë në muaj përmes Ekuadorit, me destinacion Europën. Ai operonte përmes një rrjeti prej dymbëdhjetë kompanish të ligjshme, në bashkëpunim me ekuadorianin Rubén Cherres, i cili u vra në vitin 2023.
Hetimi tregon për një përdorim sistematik të kanaleve tregtare legale si maskë për trafikun ndërkombëtar të drogës, me kompani shqiptare që shfrytëzojnë boshllëqet ligjore dhe dështimet e autoriteteve për të vazhduar aktivitetin e tyre kriminal. Modeli qëndron mbi ndërrimin e përkohshëm të drejtuesve, lidhjet me rrjete lokale, dhe një sistem të ngjizur të pastrimit të imazhit përmes bizneseve të ligjshme.


