Kryeministri Edi Rama ka vënë në qendër të vëmendjes histori suksesi të sipërmarrësve të rinj shqiptarë, gjatë një bisede në podkastin e tij “Flasim”, ku u diskutuan sfidat e biznesit, emigracioni, teknologjia dhe roli i inteligjencës artificiale në ekonominë moderne.
Në emision, Rama mirëpriti dy sipërmarrje shqiptare: kompaninë e prodhimit “Veza Savio”, të themeluar nga Sandër dhe Vjola Hoxha, si dhe kompaninë teknologjike “Devable”, të krijuar nga Elisa dhe Sildi. Ai i cilësoi ata si shembuj të brezit të ri që ka zgjedhur të investojë në Shqipëri dhe të ndërtojë të ardhmen në vend.
Gjatë bisedës, themeluesit e “Devable” shpjeguan se kompania e tyre fokusohet në zhvillimin e faqeve të internetit, sistemeve të informacionit dhe integrimin e inteligjencës artificiale në biznes. Ata treguan se projektet nisin nga analiza e nevojave të klientëve dhe kalojnë në automatizimin e proceseve për rritje të eficiencës.
Sipas tyre, rrugëtimi i tyre ka nisur me investime modeste, me disa mijëra euro, përpara se të ndërtonin një kompani që sot punon me klientë vendas dhe ndërkombëtarë në fushën e teknologjisë.
Ndërkohë, historia e “Veza Savio” u cilësua si një shembull i fortë i këmbënguljes dhe rikthimit pas vështirësive. Sipërmarrësit rrëfyen se fillimisht kishin provuar një fermë që dështoi dhe u shkaktoi humbje të konsiderueshme financiare, duke i vendosur përballë mendimit për emigrim.
Megjithatë, ata vendosën të qëndronin në Shqipëri dhe të nisnin nga e para. Me mbështetje familjare dhe investime të reja, ata rindërtuan aktivitetin në Kavajë, duke e shndërruar më pas në një biznes të qëndrueshëm në sektorin e prodhimit të vezëve.
Sot, kompania ka arritur të investojë mbi 2.3 milionë euro në një fermë moderne me standarde europiane dhe operon me sistem “free range”, ku kafshët rriten në kushte më të lira krahasuar me sistemet tradicionale. Aktualisht, prodhimi arrin rreth 30 mijë vezë në ditë, duke furnizuar rrjetet kryesore tregtare në vend.
Gjatë diskutimit, Rama vlerësoi këto histori si dëshmi të potencialit të sipërmarrjes shqiptare, duke theksuar se këmbëngulja dhe inovacioni janë çelësi i zhvillimit ekonomik.
“Këta janë shembuj të rinjsh të talentuar, të përkushtuar dhe me vizion, që tregojnë se suksesi mund të ndërtohet edhe në Shqipëri”, u shpreh ai.


