Kjo është foto e makinës së viktimës së atentatit në Vlorë, 30 vjecarit Kristian Marku, i cili u qëllua me pistoletë mbrëmjen e 13 janarit teksa ishte duke lëvizur në autostradën Vlorë-Fier, në afërsi të fshatit Novoselë.
Makina e 30 vjeçarit, i cili u qëllua nga persona që ende janë të paidentifikuar, duket e dëmtuar në pjesën e përparme të saj.
Sipas burimeve automjeti me të cilin lëviznin autorët ishte e llojit “Benz”.
Ky automjet është gjendur i djegur disa kilometra larg vendngjarjes në autostradën Fier-Vlorë.
Raportohet se autorët nuk janë futur në Vlorë. Ajo çfarë i ka ndihmuar ata ka qenë një tjetër mjet i cili i ka pritur që të largohen së bashku nga rrethrrotullimi i Panajasë, në drejtim të qyteteve të tjera.
Ndërkaq, në vendngjarje janë gjendur 11 gëzhoja të llojit pistoletë teksa një gëzhojë është gjetur në makinë dhe 10 jashtë saj. Automjeti i autorëve ka gjuajtur në lëvizje drejt viktimës ndërsa mjeti i 30-vjeçarit ka ecur rreth 400 metra më tutje derisa ka goditur dy mjete të tjera në lëvizje.
Deri në këto momente, dyshohet të kenë qenë 3 persona që kanë kryer vrasjen e 30-vjeçarit në bashkëpunim, pra drejtuesi i mjetit “Benz” dhe dy persona që godasin me breshëri plumbash.
Kristian Marku është vrarë në sheshpushimin te karburanti Novoselë, por mjeti ka ecur për metra me radhë.
Policia dhe grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


