Gjermania ka regjistruar një rekord të ri të temperaturës, pasi termometri ka shënuar paraprakisht 41,3 gradë Celsius, njoftoi Shërbimi Gjerman i Motit (DWD). Matja është regjistruar në orën 17:00 në qytetin Saarbrücken, në landin e Saarlandit, në një periudhë kur vendi po përballet me një valë të fortë të nxehti që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore.
Nëse konfirmohet zyrtarisht, kjo shifër do të përbëjë temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Gjermani, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 41,2 gradësh Celsius të shënuar në korrik të vitit 2019.
Sipas DWD-së, gjatë së njëjtës ditë janë thyer edhe rekorde të tjera lokale dhe mujore. Në veçanti, është kaluar rekordi për muajin qershor, i cili më parë ishte 39,6 gradë Celsius i regjistruar në Bernburg në vitin 2019.
Në Saarland, temperatura 41,3 gradë Celsius ka shënuar gjithashtu një rekord të ri absolut për landin, duke kaluar maksimumin e mëparshëm prej 40,2 gradësh.
Vlera të ngjashme ekstreme janë regjistruar edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë Bad Kreuznach në Rheinland-Pfalz dhe Kitzingen në Bavari, ku termometri ka arritur në 40,7 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve meteorologjike, vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe gjatë fundjavës, me temperatura që mund të afrohen ose të kalojnë 40 gradë Celsius në disa rajone, përfshirë edhe Berlinin.
Shkencëtarët theksojnë se ngjarje të tilla ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Evropë, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të ndjeshme të ditëve me temperatura mbi 30 gradë Celsius në vitet e fundit.
Ndikimi i të nxehtit ekstrem ka sjellë edhe ndërprerje të aktiviteteve publike dhe masa të posaçme nga autoritetet. Në Freiburg është shtyrë Dita Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa në Berlin është mbyllur përkohësisht kupola prej xhami dhe tarraca panoramike e ndërtesës së Rajhshtagut për shkak të temperaturave të larta.


