Një mjet lundrues është bllokuar nga Policia Kufitare në zonën e Borshit pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë të përcaktuar për pushuesit.
Sipas autoriteteve, drejtuesi i mjetit kishte hyrë në zonën ku po laheshin qytetarët, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Për këtë shkelje, ndaj tij u vendos një masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia bëri të ditur se gjatë patrullimeve në zonën e quajtur “Krorëz”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan mjetin duke lundruar në një hapësirë të ndaluar për mjetet detare, e rezervuar për pushuesit.
Autoritetet theksojnë se kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare janë intensifikuar me qëllim garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Policia e Shtetit u bën thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të mos hyjnë në zonat e përcaktuara për pushuesit.
Gjithashtu, në zonat ku ende nuk janë vendosur perimetra sigurie, drejtuesit e mjeteve lundruese këshillohen të mos afrohen pranë bregut dhe të shmangin manovrat hyrje-dalje në vende ku ka pushues, për të evituar çdo rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre.


