Policia greke ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së 41-vjeçarit shqiptar Altin Arapaj, i cili u ekzekutua sot në zonën bregdetare të Rafinës në Athinë.
Sipas burimeve zyrtare, autori është Mikel Selimaj, 46 vjeç, me origjinë nga Vlora, një emër i njohur për drejtësinë greke për çështje të lidhura me trafikun e drogës.
Ka qenë vetë viktima që, pasi u plagos me armë zjarri, arriti të telefonojë bashkëshorten e tij dhe t’i thotë emrin e autorit, para se të humbiste jetën. Trupi i pajetë i Altin Arapajt u gjet pak më vonë në një vresht, i qëlluar në faqe.
Si Arapaj, ashtu edhe Selimaj, rezultojnë me precedentë penalë në Greqi, ndërsa hetuesit nuk përjashtojnë pistën e larjes së hesapeve për çështje të trafikut të drogës. Policia greke ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorit në arrati.


