Një krim i rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi. Një shtetas shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Artemidës, në rrethana ende të paqarta. Mediat greke raportojnë se viktima, para se të humbte jetën, kishte arritur të telefononte gruan e tij dhe t’i thoshte fjalët tronditëse: “Më ka qëlluar miku im.”
Pas telefonatës, gruaja e tij, një 36-vjeçare, nisi kërkimin përmes aplikacionit Find My iPhone, duke ndjekur vendndodhjen e celularit të bashkëshortit. E shoqëruar nga një patrullë e njësisë DIAS të Policisë Helenike, ajo arriti në zonën ku ndodhej sinjali – kryqëzimi i rrugëve Arionos dhe Anemoessas në Artemidë – ku u gjet telefoni i viktimës i mbuluar me gjak, por pa praninë e tij fizike.
Vetëm pak minuta më vonë, trupit të viktimës iu ra në gjurmë, duke konfirmuar fatkeqësisht dyshimet më të këqija.
Autoritetet greke kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes, ndërsa identiteti i autorit të dyshuar dhe motivi mbeten ende objekt hetimi.
Një ngjarje tragjike që ka lënë të tronditur jo vetëm familjarët, por edhe komunitetin më të gjerë shqiptar në Greqi.


