Prindërit e Ilaria Sulës, studentes shqiptare e cila u vra nga i dashuri i saj, së fundmi kanë komentuar letrën e faljes nga vrasësi i 22-vjeçares, Mark Antony Samson.
Në një intervistë për mediat italiane, babai i viktimës, Flamur Sula ka thënë se nuk e pranon faljen e 23-vjeçarit.
“Nuk ka asnjë justifikim dhe nuk më intereson se çfarë ka shkruar. Duhet të vendoset në vend drejtësia”, u shpreh babai i 22-vjeçares së vrarë.
Për ditë të tëra familja shpresonte se fundjava mbase do të mund t’i bashkonte sërish me vajzën e tyre por njëkohësiht dyshonin se diçka e keqe kishte ndodhur.
Ata e kuptuan menjëherë se nuk ishte ajo personi që dërgonte mesazhe dhe bënte postime në Instagramin e saj.
“Po të ishte ajo, çfarëdo që të bënte, mirë apo keq, do të na kishte thënë. Ajo në fakt do të na telefononte, jo do të na dërgonte një mesazh apo të postonte në Instagram. Ai i dinte të gjitha kodet e telefonit të saj”.
Nga ana tjetër,mamaja e Ilarias, Gëzime Sula, komentoi sjelljen e nënës së Samson, e cila e ndihmoi atë të fshihte gjurmët e gjakut në shtëpi, pasi i mori jetën studentes shqiptare.
“Ajo nuk është nënë, një nënë si ajo nuk duhet të ekzistojë. Një nënë nuk mund ta ndihmojë djalin të fshehë një kufomë, të fshehë vajzën tonë. Nuk e di se çfarë zemre ka”.
“Nuk e prisnim letrën në këtë moment”, shtoi Flamur Sula. “Ndoshta pas 30 apo 40 vjetësh, por jo tani. Ai thotë se po qan, por ne kemi qarë për vajzën tonë për 20 ditë. Ilaria nuk e meritonte këtë fund. Ajo ishte e mrekullueshme dhe nuk është e lehtë ta harrosh”.


