Së fundmi OBSH bëri një apel urgjent për 8 milionë dollarë në ndihmë për popullin e Mianmarit, të cilët së fundmi u prekën nga tërmeti shkatërrues.
Deri më tani autoritetet vendase kanë konfirmuar 1700 viktima dhe qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur, raporton BBC.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara aktivizoi “nivelin më të lartë të urgjencës” ndërsa thekson faktin se janë të nevojshme donacione për të ofruar kujdes urgjent për traumën, për të parandaluar shpërthimet e sëmundjeve dhe për të rikthyer shërbimet shëndetësore esenciale gjatë 30 ditëve të ardhshme.
Gjithashtu dhe Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) bënë thirrje për ndihma humanitare.
“Kjo nuk është vetëm një fatkeqësi, është një krizë komplekse humanitare e shtresuar mbi dobësitë ekzistuese. Ky tërmet përkeqëson një situatë tashmë të brishtë. Komuniteti global duhet të mbështesë një përgjigje të guximshme dhe të qëndrueshme”, tha drejtori i IFRC Azi-Paqësor, Alexander Matheou.


