Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa prej 100% ndaj mallrave që importohen nga vendet evropiane, nëse ato miratojnë taksa për shërbimet digjitale që prekin kompanitë amerikane të teknologjisë.
Përmes një postimi në rrjetin social “Truth Social”, Trump deklaroi se disa vende evropiane po shqyrtojnë vendosjen e këtyre taksave dhe se një pjesë e tyre janë pranë miratimit.
“Çdo vend që vendos një taksë të tillë do të përballet menjëherë me një tarifë 100% për të gjitha mallrat që eksporton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi ai.
Sipas presidentit amerikan, kjo masë do të ketë përparësi ndaj çdo marrëveshjeje ekzistuese tregtare dhe do të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit të taksave për shërbimet digjitale.
Taksa për shërbimet digjitale synon që kompanitë e mëdha të teknologjisë të paguajnë tatime në vendet ku gjenerojnë të ardhura, edhe në rastet kur nuk kanë prani të konsiderueshme fizike apo zyra në ato tregje. Kjo çështje ka qenë prej vitesh objekt debatesh mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane për mënyrën e tatimit të gjigantëve të teknologjisë.


