Autoritetet malazeze, në bashkëpunim me Byronë Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara (FBI), kanë arrestuar një shtetas me nënshtetësi iraniane dhe turke, i kërkuar nga drejtësia amerikane për një seri sulmesh kibernetike që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare prej rreth 3.4 miliardë dollarësh.
Operacioni u zhvillua në qytetin bregdetar të Kotorrit dhe konsiderohet pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të goditur rrjetet e hakerimit që dyshohet se veprojnë në interes të Iranit.
Sipas Policisë së Malit të Zi, i arrestuari, i identifikuar me inicialet A.B., 39 vjeç, kërkohet nga një gjykatë federale në Nju Jork, ku përballet me akuza për komplot për mashtrim kompjuterik, ndërhyrje të paautorizuara në sisteme informatike dhe vjedhje identiteti.
Hetimet amerikane tregojnë se aktiviteti i tij daton që nga viti 2013. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se ka organizuar sulme të gjera kibernetike kundër institucioneve amerikane, përfshirë mbi 150 universitete, duke vjedhur të dhëna dhe akses në llogari të përdoruesve.
Në komunikatën zyrtare, Policia e Malit të Zi thekson se informacionet e përfituara nga këto sulme janë përdorur në dobi të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe subjekteve të tjera, përfshirë universitete iraniane.
Pas arrestimit, 39-vjeçari është transferuar në Podgoricë, ku pritet të nisë procedura gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës së Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e tij.
Arrestimi vjen në një periudhë kur autoritetet amerikane kanë shtuar paralajmërimet për rritjen e sulmeve kibernetike të lidhura me Iranin. Sipas vlerësimeve të agjencive të inteligjencës, muajt e fundit janë shënuar përpjekje të shtuara për të goditur institucione publike, universitete dhe qendra kërkimore në vendet perëndimore.


