Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se sezoni turistik veror ka nisur me ritme shumë pozitive, duke shënuar një numër rekord vizitorësh të huaj në Shqipëri.
Ai veçoi si risi të këtij sezoni krijimin e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat, sipas tij, po ndikojnë në rregullimin e tregut dhe në mbajtjen nën kontroll të çmimeve.
Gonxhja sqaroi se, krahas plazheve të lira ku qytetarët mund të pushojnë pa pagesë, bashkitë kanë ngritur edhe plazhe publike të pajisura me çadra, shezlongë, shërbime higjieno-sanitare dhe infrastrukturë të përmirësuar, me tarifa të përcaktuara sipas vendimmarrjes së secilës bashki.
Sipas ministrit, tarifat variojnë nga 400 deri në 1,000 lekë, në varësi të karakteristikave të plazhit dhe kapaciteteve të tij. Ai theksoi se kjo skemë ka krijuar konkurrencë edhe për operatorët privatë, të cilët janë detyruar të mbajnë çmime më të përballueshme.
“Plazhet publike të menaxhuara nga bashkitë kanë bërë që edhe plazhet private të ruajnë çmime konkurruese, pasi qytetarët kanë tashmë një alternativë cilësore dhe më ekonomike,” u shpreh Gonxhja.
Ministri u ndal edhe te siguria në plazhe, duke bërë apel që pushuesit të frekuentojnë zonat e mbikëqyrura nga vrojtuesit e plazhit dhe të respektojnë sinjalistikën, sidomos pas disa rasteve tragjike të regjistruara këtë sezon.
Ai theksoi se bashkitë kanë detyrimin të vendosin sinjalistikë në zonat ku nuk ofrohet shërbim vrojtimi, ndërsa u kërkoi qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar në plazhet natyrore dhe të pamenaxhuara, ku mungojnë masat e sigurisë.


