Dy turiste holandeze janë shpëtuar nga Policia e Shtetit në zonën e “Shpellës së Pëllumbasit”, pasi mbetën të bllokuara gjatë eksplorimit të terrenit malor në fshatin Pëllumbas të Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, pas alarmit se njëra prej turisteve kishte pësuar dëmtim në këmbë si pasojë e një rrëzimi.
Pas lokalizimit në një zonë me terren të vështirë, efektivët e policisë arritën t’i nxjerrin të dyja turistet në siguri. Turistes së dëmtuar iu dha ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua drejt Spitalit të Traumës për trajtim mjekësor, ndërsa shoqëruesja e saj u dërgua në një zonë të sigurt.
Dy turistet falënderuan policinë për reagimin e shpejtë dhe profesional. Autoritetet apelojnë që në raste emergjente të kontaktohet numri 112.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve në çdo situatë emergjente.


