Ditën e sotme mësohet se është zbardhur dëshmia e rojeve private në lidhje me sulmin e regjistruar rreth orës 02:30 të 25 Dhjetorit të 2024 ku dy persona të maskuar u futën në zyrat e kompanisë telefonike “One Albania” në zonën e Laprakës.
Kujtojmë se ditën e djeshme Policia e Tiranës njoftoi se kishte vënë nën hetim 7 persona.
Burimet bëjnë me dije se në deklaratën e dhënë para oficerëve të Komisariatit nr.3 në Tiranë, rojet private kanë thënë se janë detyruar që të mos tregonin, pasi nuk donin t’i prishnin reputacionin.
“Nuk donin t’i prishnim reputacionin kompanisë, prandaj nuk e denoncuam vjedhjen”, kanë deklaruar përgjegjësit për ruajtjen e objektit.
Nga hetimet paraprake rezultoi se rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, dy shtetas të maskuar janë futur në ambientet e kësaj kompanie, duke dëmtuar drynin e derës së pasme.
Ngjarja në fjalë u konstatua nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, shtetasi Gentian Koçi, i cili, në deklarimin e tij, pohoi se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Punonjësi në fjalë nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë.
Ndërsa më tej është konstatuar se për këtë ngjarje përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.


