Dy vatra zjarri janë regjistruar brenda një kohe të shkurtër në qytetin e Vlorës, duke vënë në alarm shërbimet zjarrfikëse, të cilat u detyruan të ndërhyjnë në dy zona të ndryshme njëkohësisht.
Zjarri i parë përfshiu një fast food, ku dyshohet se shkak për shpërthimin e flakëve ka qenë një bombol gazi. Si pasojë, ambientet e biznesit u mbushën me tym të dendur dhe pësuan dëme materiale. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Pak më vonë, një tjetër vatër zjarri u regjistrua në një kabinë elektrike pranë shkollës “Ali Demi”. Për shkak të rrezikut për përhapjen e flakëve dhe sigurinë e banorëve të pallatit pranë, ekipet ndërhynë duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke neutralizuar situatën.
Nga të dyja ngjarjet nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po verifikojnë shkaqet e plota të zjarreve.


