Dy persona kanë rënë në pranga në kuadër të operacionit policor të koduar “Game Over”, i zhvilluar në Divjakë, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Të arrestuarit janë Altin Çoku, 52 vjeç, pronar i një lokali në fshatin Karavasta e Re, dhe Edmir Çela, 35 vjeç, kamarier në të njëjtin ambient.
Sipas Policisë, në lokalin në pronësi të Çokut dyshohet se organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe telefonave celularë. Gjatë kontrollit të ushtruar në celularin e 35-vjeçarit u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.
Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se Edmir Çela ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pesë njësi kompjuterike, një DVR, një laptop dhe pesë aparate celularë.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.


