Një specie e re dinosauri gjigant me qafë të gjatë është identifikuar në Tajlandë, bazuar në fosile të gjetura në verilindje të vendit, sipas raportimeve shkencore të cituara nga BBC.
Specia e re, e quajtur Nagatitan chaiyaphumensis, konsiderohet ndër më të mëdhatë e zbuluara ndonjëherë në Azinë Juglindore. Ai vlerësohet të ketë peshuar rreth 27 tonë dhe të ketë arritur gjatësi deri në 27 metra, duke qenë pjesë e familjes së sauropodëve – dinosaurë barngrënës me qafë të gjatë.
Fosilet janë zbuluar pranë një pellgu në provincën Chaiyaphum dhe janë analizuar nga një ekip ndërkombëtar studiuesish nga institucione britanike dhe tajlandeze. Studimi sugjeron se kjo specie ka jetuar rreth 100–120 milionë vjet më parë, në një periudhë me temperatura të larta globale dhe nivele të rritura të dioksidit të karbonit.
Sipas studiuesve, emri “Nagatitan” vjen nga “naga”, figura mitologjike në kulturën e Azisë Juglindore, dhe “titan”, që i referohet krijesave gjigante të mitologjisë greke.
Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports, ndihmon në kuptimin më të mirë të evolucionit të dinosaurëve dhe kushteve klimatike që favorizuan rritjen e tyre në përmasa gjigante.


