Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e 16 vjeçarit në Korçë.
Burimet bëjnë me dije se adoleshenti ka dhënë dëshminë e tij në polici.
“Sa dola nga shkolla dhe do ikja në shtëpi. Më vijnë me makinë tre persona, të cilët po hidhnin fjalë fyese e më pas dy prej tyre dolën dhe më sulmuan. Ishte Rei që nxori thikën dhe unë u mundova të mbrohesha por arriti të më dëmtonte në fytyrë. Në atë moment, ata hipën në makinë dhe u larguan menjëherë kurse unë shkova në marketi afër shkollës dhe kërkova ndihmë.” është shprehur adoleshenti.
Ndërkohë që jashtë kamerave kanë dëshmuar dhe të pranishmit në vendngjarje.
“Sapo kishte mbaruar mësimi, kur erdhi një nxënës që po mbante dorën në fytyrë por gjaku vazhdonte t’i rridhte. Na kërkoi kartopeceta dhe u ul tek trotuari. I dhamë ujë për ta qetësuar dhe brenda pak minutash ambulanca e mori. Një kalimtare e rastësishme kishte parë targën e makinës së autorëve dhe ja dha policisë. Dëgjuam nga nxënësit e tjerë që konflikti kishte ndodhur kot, pa asnjë motiv.”
Sakaq policia ka vënë në pranga dy autorët e ngjarjes.
Sipas të dhënave të konfirmuara në polici, mësohet se personi që e ka plagosur me thikë 16 vjeçarin është Rei Islami.
Islami mbetet një emër i njohurpolicinë e Korçës pasi edhe me herët është përfshirë në të tilla ngjarje, duke u dënuar për plagosje e duke vuajtur dënimin në burgun e Drenovës, ku ka dalë afro 1 vit më parë./ Top Channel


