Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se e premtja do të sjellë mot relativisht të qëndrueshëm në vend, me vranësira të shumta dhe kthjellime të herëpashershme, sidomos në veri dhe qendër gjatë orëve të pasdites.
Në veri dhe qendër priten reshje të izoluara, të dobëta dhe afatshkurtra, ndërsa jugu do të ketë reshje më të shpeshta, me intensitet të ulët deri mesatar dhe momente shtrëngatash. Për pjesën më të madhe të ditës, reshjet në jug do të jenë të vazhdueshme.
Në zonat malore mbi 800–900 metra në Alpe dhe verilindje pritet borë e lehtë, ndërsa në Alpe nuk përjashtohen edhe stuhi bore.
Era do të fryjë nga verilindja-juglindja me shpejtësi rreth 7 m/s, duke u forcuar deri në 14 m/s përgjatë bregdetit dhe në lugina. Deti parashikohet me valëzim 1–3 ballë.


