Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndryshoi papritur avionin presidencial me të cilin do të kthehej nga samiti i NATO-s në Ankara, pas një paralajmërimi për një kërcënim të mundshëm nga Irani. Lajmi është bërë i ditur nga The New York Times, duke cituar burime anonime.
Sipas raportimit, Trump kishte mbërritur në kryeqytetin turk me një Boeing 747-8, avion i dhuruar nga Katari, i cili ende nuk ishte pajisur me sistemet e avancuara mbrojtëse të avionit tradicional Air Force One.
Burimet thanë se kërcënimi u identifikua gjatë zhvillimit të samitit dhe, pas një paralajmërimi nga Shërbimi Sekret amerikan, presidenti vendosi të mos udhëtonte drejt SHBA-së me avionin e ri.
Megjithatë, Trump deklaroi publikisht se ndryshimi i avionit ishte bërë për t’u dhënë mundësi ushtarëve amerikanë të stacionuar në Mbretërinë e Bashkuar ta shihnin nga afër avionin e ri presidencial.
Ai u largua nga Turqia me avionin e vjetër Air Force One, ndërsa pasi mbërriti në Britani, hipi sërish në avionin e ri për të vijuar udhëtimin drejt Uashingtonit.
The New York Times kishte raportuar edhe më herët se zyrtarë amerikanë kanë shprehur shqetësime për aftësitë mbrojtëse të avionit të dhuruar nga Katari. Pas publikimit të këtyre informacioneve, autoritetet amerikane nisën një hetim për rrjedhjen e tyre, duke kërkuar dëshmi nga disa gazetarë dhe të dhëna mbi komunikimet e tyre.
Vetë Trump pranoi fundjavën e kaluar se avioni i ri nuk është pajisur ende me disa nga sistemet mbrojtëse të Air Force One, përfshirë mbrojtjen kundër raketave.


