Bashkia e Vlorës ka paralajmëruar qytetarët për reshje shiu mesatare deri intensive që pritet të përfshijnë qytetin nga 17 deri më 21 tetor. Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet u kërkojnë banorëve të jenë vigjilentë dhe të respektojnë thirrjet e autoriteteve për çdo situatë emergjente.
Bashkia gjithashtu i këshillon drejtuesit e automjeteve të shmangin parkimin në zonat me problematika, ndërsa grupet e punës do të jenë në gatishmëri të plotë për t’u përgjigjur ndaj çdo incidenti që mund të ndodhë.
Sipas Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, reshjet priten të jenë të dendura në disa zona, ndaj qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjeve dhe aktivitetit të tyre në qytet.
“Referuar njoftimit të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, nga data 17 deri 21 Tetor, qyteti i Vlorës parashikohet të përfshihet nga reshje shiu mesatare deri lokalisht intensive.
Ju lutemi të tregoheni vigjilentë për çdo situatë dhe të respektoni thirrjet dhe këshillat e autoriteteve. Jeni të lutur të shmangni parkimin e automjeteve në zonat që paraqesin problematika. Grupet tona të punës do të jetë në gatishmëri të plotë”, thuhet në njoftim.


