Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me një incident të ndodhur mbrëmjen e 16 prillit 2026 në rrugën “Kavajës”, ku është shoqëruar dhe më pas proceduar penalisht avokati Altin Goxhaj.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur gjatë një ndërhyrjeje të patrullës së Policia e Shtetit për mjetet e parkuara në korsinë e dedikuar.
Policia thotë se Goxhaj ka dalë nga një taksi dhe ka kundërshtuar efektivët, duke mos iu bindur urdhrave për largim, çka ka çuar në shoqërimin e tij në Komisariatin Nr. 2.
Më pas, ai është proceduar për veprën penale “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia thekson se mbetet e angazhuar për respektimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit publik, duke garantuar njëkohësisht të drejtat e qytetarëve.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Më datë 16.04.2026, rreth orës 20:00, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke patrulluar në rrugën “Kavajës”, ka ndaluar për të marrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve të parkuara në korsinë e dedikuar.
Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.
Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi A. G., 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën, për të vijuar lëvizjen.
Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin A. G., i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, shtetasi A. G., u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe për të përmbushur detyrën që i ngarkon ligji.


