Dielli i bollshëm dhe temperaturat mbi normalen për këtë periudhë kanë mbushur sot bregdetin e Vlorës me dhjetëra qytetarë dhe vizitorë, të cilët kanë shfrytëzuar motin e mrekullueshëm për t’u relaksuar pranë detit.
Pushues nga Vlora, por edhe nga qytete të tjera të vendit, janë parë duke shijuar rrezet e diellit, duke notuar ose duke bërë shëtitje përgjatë vijës bregdetare. Ndër më të palodhurit janë fanatikët e notit, të cilët sfidojnë temperaturat ende të freskëta të ujit dhe e kanë kthyer larjen në det në një ritual të përditshëm.
Pamjet përgjatë Lungomares dhe plazheve të tjera të qytetit tregojnë një atmosferë të gjallë, me pushues të të gjitha moshave. Të shumta janë edhe familjet me fëmijë që kanë zgjedhur këtë fundjavë për t’u larguar nga rutina dhe për të shijuar natyrën, ujin e pastër dhe qetësinë karakteristike të Vlorës në këtë sezon.
Moti i ngrohtë ka gjallëruar zonën bregdetare, duke e kthyer Vlorën në një destinacion tërheqës për fundjavë, pavarësisht se jemi ende në prag të dimrit.


