Juventus mund të rigjejë Dushan Vlahoviç më shpejt se sa parashikohej. Sipas të përditshmes italiane “TuttoSport”, sulmuesi serb ka “djegur” etapat e rikuperimit dhe mund të zbres në fushë me 2-3 javë më herët se sa pritej.
Kjo do të thotë se Vlahoviç mund të jetë në dispozicion të Spaletit në mesin e muajit shkurt. Nuk është aspak çudi nëse e shohim Vlahoviç në takimin kundër Interit, më 15 shkurt, të paktën kjo është dëshira e madhe e trajnerit të “Zonjës së Vjetër”. Vlahoviç është në “bokse” që nga 29 nëntor pasi pësoi një tërheqje muskulore në sfidën kundër Kaljarit, por në fillim të dhjetorit nisi menjëherë fazën e rikuperimit.
Këto sinjale të ardhura nga serbi pritet të kenë një efekt domino edhe në merkaton e Juves këtë dimër, kjo pasi “Zonja e Vjetër” po studionte tregun për ndonjë afrim të mundshëm në fazën sulmuese. Gjithnjë sipas të përditshmes torineze, në kushte të tilla, Juve pritet të frenojë, nuk do të ndërhyjë në merkato, me shpresën që Vlahoviç realisht të jetë gati në mesin e muajit shkurt. Mes Serie A, Champions dhe Kupës së Italisë, në rastin më të mirë, serbi nuk do të jetë në dispozicion të Spalettit për të paktën edhe tetë ndeshje të tjera.
Megjithatë stafi mjekësor si dhe njerëzit e merkatos bardhezi pritet që të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm këto ditë, për të mësuar hap pas hapi se si po shkon faza e rikuperimit të sulmuesit serb. Nëse situate nuk do rregullohet e Vlahoviç nuk do të bëjë përmirësime të dukshme, atë “Zonja e Vjetër” pritet që të jetë e detyruar të ndërhyjë në merkato, në ditët e fundit të saj, për ti siguruar Spaletit një qendër sulmues./PanoramaSport


