Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar një raport të ri, prej 413 faqesh, i cili nxjerr në pah me detaje situatën alarmante në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Raporti konfirmon se, pavarësisht ndryshimeve të shpeshta të drejtuesve, denoncimeve mediatike, arrestimeve dhe auditimeve të vazhdueshme, Fondi mbetet një institucion i ekspozuar ndaj abuzimeve, skemave korruptive dhe mashtrimeve sistematike, duke rrezikuar paratë publike dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Sipas KLSH-së, kupola drejtuese e FSDKSH-së ka mbuluar dhe favorizuar aktivitetet e paligjshme, duke përfshirë kontrabandën, manipulimin e depot farmaceutike dhe mashtrimet e farmacive, ndërsa përfitimet financiare shpërndahen midis zyrtarëve dhe subjekteve të përfshira, në dëm të shëndetit të shqiptarëve. Drejtoria e Kontrollit pranë Fondit nuk ka dokumentuar datat e skadencës së barnave gjatë inventarizimeve, duke lejuar tregtim barnash të skaduara dhe manipulime me stokun.
Raporti thekson se gjatë inventarizimeve të kryera, procesverbalet përfshinin vetëm sasinë fizike të barnave, pa specifikuar datat e skadencës, çka e bën të pamundur vlerësimin e inventarit efektiv dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktuale për barnat e vetme ose të para të Listës së Barnave të Rimbursueshme (LBR). Kjo praktikë ka ndikim negativ në transparencën, saktësinë dhe besueshmërinë e analizës së disponibilitetit të barnave, si dhe në cilësinë e procesit të kontrollit.
Roli i ish-drejtorit Spartak Zekja
Nga shtatori 2023 deri në shtator 2025, FSDKSH u drejtua nga Spartak Zekja, i arrestuar nga Prokuroria për përfshirje në skema mashtruese me ilaçe dhe konsideruar si pjesë e kartelit të ilaçeve në Shqipëri. Zekja, ish-pronar i depove farmaceutike dhe kompanive që kanë përfituar fonde publike, është akuzuar se ka përdorur ndikimin e tij për të mbrojtur interesa private dhe për të favorizuar disa kompani farmaceutike. Për të shmangur konfliktin e interesit, ai ia kaloi aksionet e kompanisë Matteo Shehut, duke lënë praktikisht aktivitetin e tij privat të paprekur nga kontrollet.
Në nëntor 2025, Prokuroria e Tiranës arrestoi Zekjan dhe disa persona të tjerë, pas hetimeve që zbuluan skema mashtrimi me inventarë dhe fatura fiktive për barnat “Foster” dhe “Trimboë”. Në qendër të këtyre skemave ishte kompania “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit, e lidhur me subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, në bashkëpunim me zyrtarë të FSDKSH-së. Këto veprime çuan në përfitime të jashtëligjshme nga fondet e rimbursimit, duke dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit dhe sigurinë farmaceutike të pacientëve.
Ndryshimet korruptive të kontratave dhe dobësitë e kontrollit
KLSH ka konstatuar se draft kontratat mes Fondit dhe farmacive janë ndryshuar me qëllim të shmangies së kontrolleve, duke lejuar abuzime dhe duke hequr përgjegjësinë nga Fondi. Në disa raste, urdhrat administrativë të dhënë për kontrollin e depove ishin të paplota ose pa dokumentacionin e nevojshëm, duke cenuar identifikimin e palës dhe gjurmueshmërinë e vendimmarrjes, dhe duke rrezikuar vlefshmërinë juridike të akteve të kryera.
Auditimi i veprimtarisë së Sektorit të Kontrollit të Farmacive për vitin 2024 evidenton se përzgjedhja e subjekteve për kontrolle nuk është bërë sipas kritereve të përcaktuara. Shumë farmacive me rimbursim të lartë dhe me risk i janë shmangur kontrolleve, ndërsa disa kontrolle tematike u kryen mbi subjekte që nuk ishin pjesë e programit vjetor. Kjo tregon një mungesë të qartë transparence dhe llogaridhënie, duke favorizuar vazhdimin e abuzimeve.
Problemet me barnat dhe sistemin e depozimit
Auditimi ka evidentuar mungesa kritike të barnave alternative të vetme dhe të para në farmacitë spitalore të QSUT, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë, si dhe diferenca sasiore konkrete: 400 njësi në Durrës, 185 njësi në Shkodër, 1,015 njësi në Elbasan dhe 517 njësi në Korçë. Inventarizimet ishin të pjesshme, duke përfshirë vetëm 8% të konsumit në rastin e QSUT-së, dhe mungesa e barnave nuk raportohej tek strukturat drejtuese.
Sistemi elektronik “e-depo” ka treguar mangësi të rënda në regjistrim, monitorim dhe kontrolle, duke lejuar shpërndarje të barnave spitalore në rrjetin e hapur në kundërshtim me ligjin. Në 207 transaksione të regjistruara, 102,778 njësi u shitën me datë skadence identike me datën e shitjes, ndërsa 143,598 njësi të tjera kishin afat skadence 1 deri 5 ditë pas shitjes. Kjo situatë rrezikon sigurinë e pacientëve dhe cilësinë e trajtimit farmakologjik.
Abuzimet financiare dhe mungesa e penaliteteve
Auditimi ka konstatuar diferenca të mëdha të pajustifikuara dhe rimbursime të gabuara për barna të marrë pa kosto, duke krijuar përfitime të jashtëligjshme për farmacitë deri në 24% për tregtim pakice dhe 8% për tregtim shumice. Pavarësisht mungesave të barnave alternative, nuk janë zbatuar penalitetet e parashikuara në kontrata, të cilat mund të arrinin deri në 8 milionë lekë për mungesa dhe deri në prishjen e kontratës për përsëritje.
Raporti i KLSH-së zbulon se FSDKSH ka funksionuar si një strukturë e dobët dhe e korruptuar, ku mungesa e kontrollit, abuzimet financiare dhe manipulimet me barnat janë bërë norma. Paratë e shtetit dhe shëndeti i shqiptarëve janë vënë në rrezik të vazhdueshëm, duke krijuar një situatë ku qytetarët mbeten të pambrojtur ndaj skemave të brendshme kriminale në sistemin shëndetësor.


