Gjykata Supreme e Spanjës ka nxjerrë një vendim të rëndësishëm që forcon mbrojtjen ligjore kundër dhunës me bazë gjinore, duke vendosur se çdo kontakt fizik me natyrë seksuale pa pëlqim përbën sulm seksual, dhe jo thjesht ngacmim.
Vendimi erdhi pas shqyrtimit të një rasti ku një burrë kapte dorën e një gruaje, e puthte dhe bënte oferta me përmbajtje seksuale në një stacion autobusi. Mbrojtja kërkoi të rikualifikohej vepra si “ngacmim në rrugë”, por gjykata e hodhi poshtë këtë, duke argumentuar se akti përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të integritetit dhe lirisë seksuale të viktimës.
Gjykata theksoi se kontakti fizik i padëshiruar me qëllim seksual përfaqëson imponim të vullnetit të autorit mbi viktimën, duke e reduktuar atë në objekt. Si pasojë, u la në fuqi dënimi prej 1,620 eurosh ndaj të pandehurit.
Ky vendim shënon një hap të madh në interpretimin e rreptë të ligjit mbi pëlqimin dhe kufijtë personalë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të integritetit trupor dhe lirisë individuale në Spanjë, një nga vendet më progresive në Evropë për politikat kundër dhunës me bazë gjinore.


