Në Durrës, policia ka shoqëruar për rreth pesë orë Vullnet Muçën, vëllain e Pëllumb Muharremit, i njohur ndryshe si “Rrumi” apo “i forti i Sukthit”. Masa është marrë pas një konflikti verbal që Muça ka pasur me drejtorin e spitalit rajonal, Renis Mullaj, i cili sipas burimeve ka qenë i shoqëruar me tone kërcënuese.
Pas incidentit, policia nisi procedimin penal ndaj Muçës, i njohur edhe me mbiemrin Muharremi, për akuzën e “kanosjes për shkak të detyrës”.
Ngjarja ndodh vetëm një ditë pas atentatit të ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbeti i plagosur Pëllumb Muharremi. Ky i fundit njihet me disa identitete, mes tyre edhe Aleksandër Laho, dhe ka qenë i dyshuar në disa raste për ngjarje kriminale të rënda në zonën e Durrësit dhe më gjerë, por shpeshherë akuzat ndaj tij kanë rënë për mungesë provash.
Emri i Muharremit figuron prej kohësh në dosjet e policisë, duke e bërë një personazh të njohur në botën e krimit, ndërsa episodi i fundit e vendos sërish familjen e tij në qendër të vëmendjes.


