Portugalia shihet si një nga skuadrat pretendente për titullin botëror, ndërsa kapiteni Cristiano Ronaldo ka shprehur optimizëm në prag të nisjes së turneut, i cili do të jetë Botërori i tij i gjashtë në karrierë.
Sulmuesi portugez, që pritet të debutojë më 17 qershor në ndeshjen ndaj Republikës Demokratike të Kongos në Houston, tha se ekipi nis garën me besim dhe energji pozitive.
“E nisim me shumë gëzim, e dimë që Botërori është gjithnjë një kompeticion special dhe nisemi me shpresa të mëdha. Si jam fizikisht? Jam mirë, nuk i keni parë ndeshjet? Përgatitja ka qenë e vështirë sepse kemi punuar shumë. Fitoret erdhën, por gjëja më e rëndësishme është kur topi do të nisë të rrotullohet në 17 qershor në ndeshjen e parë. Pastaj, kur gjërat të vështirësohen, aty do të shohim kampionët e vërtetë. E rëndësishme është të kualifikohemi të parët në grup, hap pas hapi, me qetësi duke fituar besim e duke gjetur ritmin”, u shpreh Ronaldo.
I pyetur nëse Portugalia mund të konsiderohet një nga favoritët për trofeun, Ronaldo u tregua më i rezervuar, duke theksuar se verdikti do të jepet vetëm në fund të turneut.
“Këtë do ta dimë vetëm në fund. Është një brez shumë i fortë, por ka shumë faktorë që nuk mund t’i kontrollojmë. Gjithsesi besoj se kjo është një kombëtare që do të sjellë shumë gëzim për popullin portugez”, shtoi ai.
Portugalia pritet të hyjë në turne me pritshmëri të larta, falë një gjenerate të re të kombinuar me përvojën e lojtarëve veteranë.


