Gjykata e Sarandë ka dënuar me 3 vite e 4 muaj burg shtetasin Klementin Islamaj, 43 vjeç, për veprën penale “vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 10 gusht 2024 në fshatin Shalës, në bashkinë Konispol, ku sipas hetimeve, babai i tij kishte vrarë bashkëshorten dhe më pas kishte sulmuar edhe të birin.
Në kushte tronditjeje të fortë emocionale, 43-vjeçari ka reaguar duke goditur të atin, i cili si pasojë e plagëve humbi jetën.
Policia ka bërë ekzekutimin e vendimit, duke e arrestuar Islamajn për vuajtjen e dënimit.
Sipas dëshmisë së tij në kohën e ngjarjes, ai kishte përjetuar një situatë të rëndë psikologjike, pasi kishte parë nënën e pajetë dhe ishte përballur me dhunën e të atit, duke reaguar në kushte paniku dhe frike për jetën e familjarëve.
Pas ngjarjes, ai kishte tentuar t’i japë ndihmë të atit dhe kishte njoftuar shërbimet e emergjencës.
Burime bëjnë me dije se edhe aktualisht 43-vjeçari vijon të jetë në gjendje të rënduar psikologjike si pasojë e ngjarjes tragjike.


